nga Howard Zinn
Pesëdhjetë vjet pas ekzekutimit të emigrantëve
italianë Sako dhe Vanzeti, Guvernatori i Masaçusetit, Dukaki, ngre
një komision me qëllim që të kontrollohet paanësia e gjyqit të
tyre, dhe rezultoi se që të dy nuk u gjykuan në mënyrë të
drejtë. Lajmi shkaktoi në Boston një furtunë të vogël
reagimesh...
Në 50-vjetorin e ekzekutimit, gazeta N.Y.Times
përmendte se:«Plani i Kryetarit të Bashkisë, të shpallë të
Martën e ardhshme dita e ‘’Sakos dhe Vanzetit’’, u anulua
për mënjanimin e debatit, sipas zëdhënësit të Bashkisë».
Duhet të ekzistojë një arsye e rëndësishme, përderisa një
çështje 50-vjeçare, tashmë më tepër se 75-vjeçare , të
shkaktojë ndjenja kaq të forta. Konsideroj se kjo ndodh ngaqë
diskutimi rreth Sakos e Vanzetit , sjell në dritë, në mënyrë të
pashmangshme, probleme që na shqetësojnë edhe sot: si sistemi i
drejtësisë, lidhja ndërmjet gjakndezjes së një lufte dhe lirive
politike, dhe veçanërisht idetë zjarrvënëse të anarkizmit,
domethënë zhdukjen e kufijve shtetëror dhe si rrjedhim edhe të
luftës, eliminimin e varfërisë, zhvillimin e demokracisë së
plotë. Çështja e Sakos dhe Vanzetit nxori në shesh gënjeshtrën
e parullave të mëdha, ku shkruhet “barazi para ligjit”, të
cilat zbukurojnë sallat tona të gjyqeve. Ata dy njerëz, peshkatari
i rëndomtë dhe këpucari, nuk u trajtuan në mënyrë të drejtë
nga sistemi amerikan, pasi drejtësia nuk është e barabartë për
të varfrit dhe të pasurit, për të huajt dhe për vendasit, për
radikalët dhe për racionalët, për njerëzit me ngjyrë dhe për
te bardhët. Dhe ka mundësi padrejtësia sot, të funksionojë më
me modesti dhe në mënyrë më të komplikuar, në krahasim me
kushtet që mbizotëronin për çështjen Sako e Vanzeti, por esenca
vazhdon të mbetet po ajo. Në rastin e tyre padrejtësia ishte
skandaloze. Presupozohet se dënoheshin për vjedhje dhe vrasje, por
në mendjet e tyre, në sjelljen e prokurorit, të gjykatësit dhe të
jurisë ishte e qartë se rol vendimtar luajti të qenit “makaronas”,
emigrantë, punëtorë të varfër, radikalë.
Ja një fragment
nga hetimi policor:
-Polici: Je qytetar iShBA?
-Sako:Jo
-Polici:
Je komunist?
-Sako: Jo
-Polici: Anarkist?
-Sako: Jo
-Polici:
Beson tek qeveria jonë?
- Sako: Po, por disa gjëra do ti doja
ndryshe.
Ç’lidhje kishin këto pyetje me vjedhjen e një
fabrike këpucësh në Breindrin e Jugut në Masaçuseti dhe me
vrasjen e një brigadieri dhe të një roje? Natyrisht, Sako gënjente
kur thoshte nuk jam komunist, anarkist. Përse thoshte gënjeshtra në
polici? Për të njëjtën arsye që një Hebre thoshte gënjeshtra
në Gestapo. Për të njëjtën arsye qe një njeri ngjyrë thoshte
gënjeshtra në hetuesi në Afrikën e Jugut. Për të njëjtën
arsye që një antiregjimist thoshte gënjeshtra në sigurimin e
Bashkimit Sovjetik(E njëjta ndodhte dhe në sigurimin e shtetit në
Shqipëri, tashmë të gjithë ne e dimë se si i merrte të famshmet
deklaratat e rreme nga të akuzuarit, dhe se si i detyronin të
pranonin një faj që nuk kishin kryer). Ata të gjithë e dinin se
nuk kishte drejtësi për ta. Ka ekzistuar ndonjëherë drejtësia në
sistemin amerikan për një të varfër, për një njeri me ngjyrë,
për një radikal? Tetë anarkistë të Çikagos u dënuan me vdekje
më 1886 pas trazirave në Heimarket (për të cilat përgjegjëse
ishte policia), jo se kishte të dhëna që vërtetonin pjesëmarrjen
e tyre në sulmet ndaj një rajoni policie, as edhe më të voglën.
Por sepse ata ishin liderë të lëvizjes anarkiste në Çikago.
E. Debs dhe njëmijë të tjerë, mos vallë u
burgosën gjatë Luftës së Parë Botërore në bazë të ligjit për
agjitacion, sepse ishin agjentë? E pa mundur. Ata ishin socialistë
që i kundërviheshin luftës. Gjatë legalizimit të dënimit të
Debs me 10-vjet heqje lirie, gjykatësi i gjykatës së shkallës së
lartë, Oliver Holms, bëri të qartë për ç’arsye duhej të
dënohej Debs-i, duke përsëritur fjalët e të akuzuarit: “shtresa
e lartë gjithmonë shpallte luftëra dhe shtresa e ulët gjithmonë
jepte betejat’’...
Është e mundur sot, në frymën e luftës
‘’kundër terrorizmit’’, një Mysliman të trajtohet në
mënyrë të drejtë dhe të barabartë nga ligji? Përse policia
nxori zvarrë nga makina një komshiun tim brazilian, që ishte ezmer
dhe ngjante me mysliman nga Lindja e Mesme, pavarësisht se nuk
kishte shkelur ligjin, dhe e morën në hetim dhe e poshtëruan?
Përse njerëzit me ngjyrë dhe varfanjakët përbëjnë në
proporcion të zhdrejtë pjesën më të madhe të dy milionë të
burgosurve në burgjet amerikane dhe të gjashtë milionë njerëzve
që gjenden jashtë me kusht ose në arrest shtëpie? Një studim
tregoi se 70% e të burgosurve në burgjet e New York-ut vjen nga 7
lagjet e qytetit, lagje varfërie dhe dëshpërimi. Fatkeqësia e
dallimeve klasore është prezente në çdo dekadë, në çdo shekull
të historisë sonë.
Ndërkohë që çështja Sako dhe Vanzeti ishte në
shqyrtim e sipër , një i pasur nga Milton-i , në jug të
Boston-it, qëlloi dhe vrau një njeri që mblidhte dru brenda
kufijve të tokave të tij. U mbajt 8 ditë në arrest dhe më pas
lirua me garanci një shumë të hollash dhe nuk iu ngrit asnjë
akuzë. Prokurori e quajti çështjen “vrasje me arsye”. Tjetër
ligj për të pasurit dhe tjetër për të varfrit-karakteristikë
kronike e sistemit tonë.
Por varfëria e Sako-s dhe Vanzeti-t nuk
ishte krimi kryesor i tyre. Ata ishin , italianë, emigrantë,
anarkistë. Më pak se 2 vjet kishin kaluar nga Lufta e Parë
Botërore dhe ata kishin protestuar kundër luftës. Refuzuan të
rekrutoheshin. U bënë dëshmitarë të histerisë kundrejt
radikalëve dhe emigrantëve, të bastisjeve të shtëpive nga
agjentët e prokurorisë së përgjithshme të ministrisë së
drejtësisë, të mbajtjes në izolim të personave të ndryshëm dhe
rrahjes së tyre me çomange.
Në Boston arrestuan 500 veta, i lidhën me
zinxhirë dhe i ekspozonin nëpër rrugë. Luixhi Galeani-n, redaktor
i gazetës anarkiste Cronaca Suvversiva[1],
tek e cila ishin abonentë edhe Sako me Vanzeti-n e arrestuan dhe e
ekstraduan menjëherë. Por ndodhi diçka edhe më e tmerrshme. Një
anarkist ,punëtor shtypshkronje, i quajtur Andrea Salsedo, shok i
Sako-s dhe Vanzeti-t, u rrëmbye në New York nga agjentë të FBI-së
(përdor fjalën rrëmbim për të përshkruar arrestimin e pa
ligjshëm te një personi) dhe u mbajt në zyrat e shërbimit në
katin e 14-të të ndërtesës Park Row. Nuk e lejonin ti telefononte
familjes , miqve, apo ndonjë avokati, e morën në hetim dhe e
rrahën, sipas të thënave të njërit që u arrestua bashkë me të.
Gjatë javës së 8-të të arrestimit, më 3 Maj 1920, trupi i
Salsedo-s ,i transformuar, u gjet në trotuarin pranë ndërtesës
Park Row dhe sipas FBI-së ai u vetëvra duke u hedhur nga dritarja e
dhomës ku mbahej, në katin e 14-ë. Kjo ndodhi vetëm 2 ditë para
arrestimit të Sako-s dhe Vanzeti-t.
Sot pas disa raporteve të
Kongresit më 1975, jemi në dijeni të detajeve të planit
Cointelpro[2]
që ushtronte FBI-a sipas të cilës agjentët e saj hynin në shtëpi
dhe zyra, duke realizuar përgjime, përvetësime, ushtronin dhunë
deri në vdekje dhe bashkëpunuan me policinë e Çikagos për
vrasjen e dy liderëve të organizatës Black Panther[3]
më 1969. FBI-a dhe CIA kanë shkelur ligjin shumë herë. Për ta
nuk ka dënim veç. Nuk ka arsye të besojmë se liritë politike në
këtë vend do jenë nën mbrojtje në këtë frymë histerike që u
kultivua pas 9 Shtatorit dhe që vazhdon deri sot. Brenda kufijve u
kryen arrestime në masë, paraburgime pa arsye, ekstradime, përgjime
e gjëmime pa asnjë autorizim. Jashtë kufijve u kryen ekzekutime pa
gjyq, tortura, bombardime, luftë dhe pushtim ushtarak.
Gjyqi i Sako-s dhe Vanzeti-t filloi menjëherë
pas përvjetorit Memorial Day[4],
një vit e gjysmë pas orgjive të vdekjes dhe patriotizmit të
Luftës së Parë Botërore, dhe ndërsa gazetat dridheshin nga
tamburet e luftës dhe të propagandës shoviniste. Në ditën e
12-të të gjyqit u përmend në shtyp se tre trupa ushtarësh u
transportuan nga fushat e betejës të Francës në Brokton, dhe se i
gjithë qyteti mori pjesë në ceremoni patriotike. Këto shkruheshin
në gazeta, të cilat natyrisht që kishin mundësinë anëtarët e
jurisë ti lexonin. Sako u mor në hetim nga prokurori
Kaxhman.
–Pyetje: Ndjeve dashuri për këtë vend javën e
fundit të Majit të vitit 1917?
-Sako: Kjo është e vështirtë
ti përgjigjem me një fjalë, z. Kaxhman.
–Pyetje: ekzistojnë
dy fjalë që mund të përdorësh, z.Sako, po ose jo. Kë do
zgjedhësh?
-Sako: Po -Pyetje: Dhe për të treguar këtë dashuri
për Shtetet Bashkuara të Amerikës, kur tu kërkua të rekrutohesh,
ti ia mbathe në Meksikë?
Në ditët e para të gjyqit, gjykatësi
Thier (i cili, duke biseduar në një shoqëri golfi, përmendi të
akuzuarit duke i quajtur :”ata bastardët anarkistë”), i tha
jurisë: “Zotërinj, ju kërkoj të ofroni shërbimet tuaja këtu
me të njëjtën frymë patriotike, kurajë dhe besnikëri ndaj
detyrës, ashtu si vepruan ushtarët tanë në luftë”.
Ndjenjat
që zgjuan një bombë që shpërtheu në shtëpinë e Prokurorit të
Përgjithshëm Palmer në kohën e luftës, si ato që lindën nga
goditja e 9 shtatorit, krijuan një atmosferë të nderë në kuadër
të së cilës u flijuan liritë politike. Sako dhe Vanzeti kishin
kuptuar se çfarë do lloji argumenti juridik të përdornin avokatët
e tyre, nuk do të mbizotëronin kundrejt realitetit të egër të
drejtësisë klasore.
Sako, duke iu referuar vendimit të dënimit
të tij, deklaroi para gjyqit: «E di se është pasojë e luftës
klasore ndërmjet të shtypurve dhe pasanikëve...Kjo është arsyeja
që ndodhem sot në bankën e të akuzuarit, sepse unë i përkas
klasës së shtypur»
Një mendim i tillë duket dogmatik dhe i
thjeshtëzuar. Nuk mund të shpjegosh në këtë mënyrë të gjitha
vendimet e gjykatave. Por, përderisa nuk disponojmë një teori që
të mbulojë të gjitha rastet, pozicionimi i thjeshtë por i pa
tundur e i argumentuar i Sako-s na ndihmon më tepër të kuptojmë
funksionimin e sistemit ligjor, në kundërshtim me mendimin që
konsideron se një çështje gjyqësore është një përballje
ndërmjet të barabartëve dhe bazohet në kërkimin e të vërtetës
objektive.[5]
Vanzeti e dinte se argumentet juridikë nuk do ta
shpëtonin. Nga momenti që miliona Amerikanë nuk organizoheshin, ai
dhe shoku i tij, Sako, do të ekzekutoheshin. Jo me fjalë por
betejë. Jo thjeshtë dëshirë por pretendime. Jo me lutje kundrejt
Qeverisë por me uzurpime fabrikash. Jo me ryshfete, duke vaisur
ingranazhet e një sistemi gjoja të drejtë , për të funksionuar
më mirë, por grevë të përgjithshme, me qëllim që të ndalojë
së funksionuari.
Kjo nuk ndodhi. Mijëra vetë demonstruan dhe
protestuan, jo vetëm në Nju Jork, në Boston, në Çikago, në San
Françisko por edhe në Londër, në Paris, në Buenos Ajros, në
Afrikën e Jugut. Kjo nuk mjaftoi. Natën e ekzekutimit të Sako-s
dhe Vanzeti-t, mijëra vetë demonstruan në Çarlstoun, por u
mbajtën larg burgut nga forcat e shumta të rendit. Demonstrues u
arrestuan. Mitrolozë u vendosën nëpër tarraca dhe projektorë të
mëdhenj vrojtonin gjithë zonën.
Një turmë e madhe u mblodhën
në Union Square, më 23 Gusht 1927. Pak minuta pas mesnate, dritat e
burgut luhateshin, ndërsa të dy burrat ekzekutoheshin në karrigen
elektrike. Gazeta New York World përshkroi këtë skenë si më
poshtë: «Turma reagoi me një dënesë të thellë. Pesëmbëdhjetë
me njëzet gra humbën ndjenjat. Të tjerë, të përdhosur, u ulën
në trotuar dhe mbulonin kokat e tyre me duar. Burra që mbështetën
kokën tek supet e njëri-tjetrit dhe qanë.»
Krimi i Sako-s dhe Vanzeti-t ishte anarkizmi i tyre,
një filozofi që edhe sot na befason si rrufe me të vërtetën e
saj esenciale: jemi një të gjithë, kufijtë nacionalë dhe
urrejtja nacionale duhen zhdukur, lufta është e palejueshme, frytet
e tokës duhet të ndahen dhe kjo botë mund të bëhet realitet
vetëm me luftën e organizuar kundër pushtetit. Çështja e Sako-s
dhe Vanzeti-t për ne sot nuk është thjesht një tragjedi, por edhe
na frymëzon. Anglishtja e tyre nuk ishte e përkryer. Por kur
flisnin, fjalët e tyre jehonin si poezi. Vanzeti rrëfen për shokun
e tij, Sako:
«Sako është shpirt njeriu, pishtar, personalitet,
është Njeri, një Njeri i dashuruar me natyrën dhe me njerëzimin.
Një Njeri që flijoi çdo gjë në altarin e lirisë dhe të
dashurisë për njerëzit: paratë, çlodhjen, ambiciet mondane,
gruan dhe fëmijët e tij, veten, dhe jetën e tij...Natyrisht, mund
të kem më tepër intelekt se ai, si thonë disa, të jem orator më
i mirë,por shumë herë në të kaluarën, duke dëgjuar zërin e
tij të ngrohtë të tingëllojë me ndershmëri madhështore,
mendoja flijimin e tij madhor duke sjellë në mendje heroizmin e
tij, ndjehesha i vogël, i vogël përball madhështisë së tij dhe
inkurajoja veten time ti rezistonte lotëve, mundohesha të qetësoja
zemrën time, që rrihte fort, që të mos qante para tij. Atë Njeri
e quajtën kriminel dhe kryetar bande dhe e dënuan».
Më e keqja nga të gjitha , ata dy Njerëz ishin Anarkist,
domethënë ishin të infektuar nga një ide e çmendur për
demokraci të plotë, ku nuk do të kishte as ksenofobi as varfëri,
dhe besonin se në mungesë të këtyre shkaqeve lufta ndërmjet
kombeve do shfarosej.
Sako i shkroi djalit të tij, Dante-s: «Bir,
në vend që të qash, të jesh i fortë, që të mbështesësh nënën
tënde... dërgoje për një shëtitje në natyrën e qetë, mblidhni
lule, çlodhuni nën hijen e pemëve... Por, mos harro, Dante, në
këtë lojë lumturie mos mendo vetëm për veten tënde...ndihmo të
persekutuarit dhe viktimat, sepse ata janë miqtë e tu më të
mirë...Në këtë luftë për të jetuar do njohësh dashurinë e
vërtetë dhe do dashurohesh».
Pa dyshim, anarkizmi dhe dashuria
e tyre për njerëzimin i dënoi. Kur arrestuan Vanzeti-n kishte në
xhep një trakt, që fliste për një takim që do bëhej për pesë
ditë. Ky trakt shumë mirë mund të shpërndahej edhe sot, në të
gjithë botën, është shumë aktual, ashtu si ditën e arrestimit
të tyre. Në të thuhej:
Ke luftuar në çdo luftë. Ke punuar për çdo kapitalist. Je
endur në të gjithë botën. Ke shijuar, veç, frytet e punës tënde
dhe dobitë e fitoreve të tua? Je i kënaqur me thërrimet? Të
buzëqesh e tashmja? Të premton e ardhmja diçka më të mirë? Ke
gjetur një cep në këtë botë ku të jetosh e të vdesësh si
njeri? Për këto pyetje, për këtë çështje, për luftën për
jetën, do flasë Bartolomeo Vanzeti.
Ky takim nuk u realizua kurrë. Por, fryma e atyre
njerëzve vazhdon të posedoj edhe sot të gjithë ata që besojnë
dhe duan dhe luftojnë kudo në botë.
____________________________________________________________________________
[1] Pjesë nga libri i Howard Zinn: APower Cannot Suppress( Një
fuqi që Qeveritë nuk mund ta mposhtin), City Lights, 2006. Bën
fjalë për një çështje gjyqësore që lidhet me një krim në
Masacusheti(1920-1927). Pas vjedhjes së një fabrikë këpucësh dhe
vrasjet e një brigadieri dhe të një roje, policia arrestoi
emigrantët italianë, anarkistët Nicola Sacco (1891-1927) dhe
Bartolomeo Vanzzeti (1888-1927). U gjykuan, u dënuan dhe u
ekzekutuan në Boston më 1927.
2.
3 .Counter Intelligence Program: Projekt
antispiunazhi i FBI 1956-1971. Përfshinte udhëzime për të
përgjuar Ku Kluks Klan, partinë komuniste, ekstremistët me
ngjyrë,partinë socialiste punëtore, etj.
4 .Organizata Pantera e
Zezë u krijua në Kaliforni më 1966. Në gjirin e saj kishte disa
Afroamerikanë të majtë, mbështetës të luftës së armatosur.
Por programi zyrtar i saj ishte më konservator jo revolucionar.
5
.Festë zyrtare në SHBA. U vendos më 1868. Fillimisht i ishte
dedikuar kujtesës së ushtarëve që ranë në luftën civile
amerikane, por më pas iu dedikua të gjithë ushtarëve të Amerikës
që vriten në luftë.
6 .
Në
Shqipëri ne të gjithë jemi dëshmitar dhe e dimë mirë se si
trajtohen nga drejtësia një Rom, një fshatar, një i varfër në
krahasim me një ‘’të bardhë’’, një biznesmen apo një që
ka një status civil më të lartë, duke mos folur pastaj për
korrupsionin. Ndërsa për politikanët dhe veçanërisht ata që
janë në pushtet drejtësia ka një sjellje krejt ndryshe, është
vegël e tyre dhe bën një sy qorr e një vesh shurdh, dhe në shumë
raste ajo bëhet bashkëfajtore në krimet e politikanëve. Dhe kjo
pak a shumë ndodh në të gjitha vendet e botës.
Croanca Sovversiva: Gazetë e
pavarur, anarkiste amerikane që u themelua nga Luigi Galleani, 6
Qershor 1903. Botonte artikuj vetëm në italisht dhe arriti të
kishte 5000 abonent.
perketheu:
http://utopi09.blogspot.gr/2009/05/ceshtja-sako-dhe-vanzeti.html