22.5.09

Mbi evenimentin në Hania-Kretë




Më 16-17 Maj u zhvillua në Hania të Kretës një eveniment dyditor me biseda, muzikë dhe aktivitete të tjera. Në këtë eveniment merrnin pjesë shoqata dhe grupe emigrantësh si dhe organizata dhe individë vendas të cilët mbështesin përpjekjet e emigrantëve për fitimin e të drejtave të tyre.
Dita e parë:
Paradite u zhvillua një takim njohje midis shoqatave emigrante dhe vendase në të cilën u shtrua problematika dhe propozimet për zgjidhjet e mundshme për sa i përket emigracionit.
Takimi ,i cili u zhvillua orët e pasdites, përmblodhi në tematikën e tij diskutime të nivelit teorik mbi çështjen e emigracionit. Në këtë takim morën pjesë kryesisht organizata joqeveritare dhe përfaqësues të instuticioneve akademike.
Dita e parë u mbyll me një mbrëmje muzikore të zhvilluar në ambientet e ndërtesës së okupuar ‘’Rosa Nera’’. Pjesëmarrja e emigrantëve ishte e shumtë ,të cilët bashkë me vendasit kaluan disa orë të këndshme duke biseduar dhe duke u dëfryer.
Dita e dytë:
Në mëngjesin e ditës së dytë u bë një tentative për okupimin dhe vënien në funksionim të ish ndërtesës së IKA-ve nga një ndërtesë e braktisur në strehë për emigrantët dhe vendasit të cilët kanë probleme serioze strehimi. Fatkeqësisht kjo tentativë sado pozitive, nuk arriti të bëhej realitet për shkak të presionit të vazhdueshëm të forcave policore, duke bërë kërcënime direkte dhe personale ndaj emigrantëve si dhe për mungesë të mbështetjes masive nga ana e vendasve.